Mbrëmja e 31 marsit do të jetë mbrëmja e verdikteve përfundimtare për fazën e playoffit të Botërorit 2026. Kontinenti evropian do të mësojë emrat e 4 skuadrave të fundit që do të shkojnë në kompeticionin më madhor të futbollit.
Padyshim që sytë e të gjithë shqiptarëve do të jenë në Prishtinë, pikërisht në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ ku Kosova do të kërkojë të shkruajë një tjetër faqe të historisë dhe të vendosë emrin mes 48 skuadrave pjesëmarrëse të kompeticionit. Padyshim pengesa që do të ketë përballë është shumë e madhe pasi Dardanët do të kenë përballë Turqinë e Vincenzo Montellas, por suksesi i madh i arritur në Bratislavë ndaj Sllovakisë i ka dhënë krah dhe shumë moral skuadrës së drejtuar nga Franco Foda që me të drejtë mund të ëndërrojnë për aventurën e madhe amerikane. Nëse ia del mbanë të realizojë këtë ëndërr, Kosova do të jetë në Grupin D me SHBA, Paraguajin dhe Australinë.
Shpresonim që mbrëmjen e së martës të ishte edhe Shqipëria, por do të jetë Polonia ajo që do të përballet me Suedinë për një biletë për në Botërorin e SHBA, Kanadasë dhe Meksikës. Një sfidë që brenda saj ka dhe duelin mes brezave teksa përballë do të jenë Lewandowski dhe Gyokeres. Kushdo që të fitojë këtë sfidë, ka vendin e rezervuar në Grupin F me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë.
Në fushë do të zbresë dhe Italia që do të përballet me Bosnjen në një sfidë ku skuadra e Të Kaltërve është nën një presion të madh sepse nuk dëshiron që t’i mbyllen dyert e Botërorit për të tretën herë radhazi; do të ishte një goditje e rëndë për skuadrën e Gattusos por edhe për një popull të tërë. Në krahun tjetër është Bosnja që do të kërkojë të bëjë magjinë dhe të kthehet në fazën finale të një kupe bote pas 12 vitesh. Fituesja e këtij çifti do të jetë në Grupin B me Kanadanë, Katarin dhe Zvicrën.
Dhe në fund sfida mes Çekisë dhe Danimarkës në Pragë. Skuadra çeke arriti një fitore dramatike ndaj Irlandës duke e mundur me penallti 4-3 pas barazimit 2-2 në kohën e rregullt dhe atë shtesë, ndërsa Danimarka shkatërroi Maqedoninë e Veriut 4-0. Skuadra fituese e këtij çifti do të jetë në Grupin A të Kupës së Botës me Meksikën, Afrikën e Jugut dhe Korenë e Jugut.