Bilanci i viktimave nga shembja e një landfilli në Filipinet qendrore është rritur në 11 persona, kanë bërë të ditur autoritetet.

Ngjarja ndodhi javën e kaluar në landfillin Binaliw, në qytetin Cebu, në momentin kur mbi 100 punëtorë ndodheshin në zonë.

Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë deri tani 12 persona të plagosur nga rrënojat, ndërsa më shumë se 20 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Edhe pse shpresat për të gjetur të mbijetuar ishin të pakta pas tre ditësh nga rrëshqitja e dheut, autoritetet thanë se të hënën u konstatuan “shenja jete” në zonën e rrënojave dhe operacioni vazhdon në regjimin e kërkim-shpëtimit, shkruan BBC.

Ngjarja ka nxitur thirrje për hetim të plotë mbi shkaqet e shembjes dhe për rishikim të sistemit të menaxhimit të mbetjeve në vend, si dhe kushteve të punës së punëtorëve të landfillit. Autoritetet mjedisore kanë urdhëruar pezullimin e aktivitetit të kompanisë që administron landfillin, Prime Integrated Waste Solutions, Inc., e cila duhet të paraqesë një plan përmbushjeje brenda 90 ditësh.

Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore ka njoftuar gjithashtu nisjen e një hetimi për të përcaktuar përgjegjësitë. Ligjvënësit kanë kërkuar reforma konkrete, duke theksuar se tragjedi të tilla janë përsëritur edhe më parë. Një raport paraprak sugjeron se reshjet e vazhdueshme të shiut në javët e fundit, të kombinuara me faktorë inxhinierikë, mund të kenë ndikuar në rrëshqitjen e mbetjeve.

Landfillet janë të zakonshme në qytetet e mëdha të Filipineve, përfshirë Cebu-n, një qendër kryesore tregtare dhe transporti në rajonin qendror të vendit.

Top Channel