Tyler Robinson, 22 vjeç, është arrestuar si autori i dyshuar i vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk, ngjarje që tronditi opinionin publik amerikan. Kirk, 31 vjeç, u qëllua për vdekje gjatë një aktiviteti në Universitetin e Luginës së Utah-ut, ku po mbante një fjalim.

Hetuesit kanë zbuluar se Robinson kishte planifikuar vrasjen deri në detaje. Ai kishte komunikuar paraprakisht përmes një dhome bisede në platformën Discord, ku ndau mesazhe për veprimet e tij pas atentatit. Ai kishte marrë armën nga një pikë e fshehtë, e kishte mbështjellë me një peshqir dhe e kishte fshehur në një zonë me shkurre. Pas të shtënave, ndërroi rrobat dhe u largua.

Më tronditës ishin plumbat që Robinson kishte gdhendur me mesazhe të pazakonta dhe referenca nga kultura e internetit dhe antifashizmi. Në to shkruhej fraza si “Hey fascist, catch!” (“Hej fashist, kape!”), “Bella Ciao” (kënga antifashiste italiane), dhe “If you read this, you are gay LMAO” (“Nëse po e lexon këtë, je gay LOL”), si dhe një meme e njohur me frazën “Notices bulges OwO, çfarë është kjo?” (“Vëren fryrje OwO, çfarë është kjo?”), që lidhet me subkulturën “furry”.

Guvernatori i Utah-ut, Spencer Cox, konfirmoi se këto gdhendje ishin pjesë e një përzierjeje ideologjie politike dhe humori absurd të marrë nga interneti. Autoritetet dyshojnë se Robinson kishte shfaqur gjithnjë e më shumë tendenca politike në vitet e fundit dhe nuk përputhej me pikëpamjet konservatore të viktimës.

Pas publikimit të identikitit, Robinson u dorëzua vullnetarisht nga babai i tij dhe një pastor lokal. Ai jetonte në një shtëpi me vlerë rreth 600 mijë dollarë në Washington, Utah, ndërsa imazhet në rrjetet sociale e tregonin si pjesë e një familjeje të rregullt dhe të integruar.

Ngjarja ka nxitur reagime të forta politike, ku presidenti Donald Trump kërkoi dënim me vdekje për autorin dhe e quajti Kirk “një patriot të madh”.