Një surfist me parashutë në Zelandën e Re përfundoi duke humbur parashutën gjatë një dalje të fundit dhe si pasojë gjeti një dërrasë surfimi që kishte udhëtuar gati 2400 kilometra nga Australia. Surfisti francez Alvaro Bon tha se po bënte ‘kite surfing’ në bregun perëndimor të Ishullit Verior të Zelandës së Re, kur parashuta e tij u kap në ujë dhe filloi ta tërhiqte drejt detit. Bon u detyrua ta lëshonte parashutën dhe u kthye drejt bregut, ku vuri re një dërrasë surfimi në pjesën veriore të plazhit.
Ai tha se bordi dukej në gjendje të mirë, por nuk ishte një stil që përdornin shpesh surfistët vendas. Ai e ktheu përmbys dhe zbuloi se ishte mbuluar me midhje. “Forma e bordit është bërë për valë shumë të mëdha, nuk është tipi që përdorim çdo ditë në Raglan”-tha Bon për 1News. Bon mori dërrasën e surfimit në shtëpi dhe postoi foto të zbulimit të tij në grupe të ndryshme surfimi në Facebook, me shpresën për të gjetur pronarin.
Një nga postimet çoi në marrjen e një mesazhi nga pronari i dërrasës, Liam, i cili tha se e kishte humbur gjatë një udhëtimi me anije pranë bregut të Tasmanisë, gati 2400 kilometra larg vendit ku u gjet më 10 maj 2024. Edward Doddridge, një oqeanograf fizik në Institutin për Studime Detare dhe Antarktike të Universitetit të Tasmanisë, tha se dërrasa mund të jetë transportuar nga Rryma Lindore Australiane, e cila rrjedh përgjatë bregut lindor të Australisë drejt Zelandës së Re, ose të ketë ndjekur një rrugë më të gjatë përgjatë Rrymës Antarktike Rrethore. Bon tha se dërrasa e Liam do të kthehet së shpejti në Australi falë anëtarëve të familjes së tij që vizitojnë Zelandën e Re për një dasmë.


