Kostoja e përplasjes ushtarake mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit ka arritur në 29 miliardë dollarë, sipas një zyrtari të lartë të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, ndërsa tensionet në Gjirin Persik vijojnë të përshkallëzohen.

Zyrtari amerikan Jules Hurst deklaroi para ligjvënësve në Uashington se kjo shumë përfshin kostot operative, riparimin dhe zëvendësimin e pajisjeve ushtarake të përdorura gjatë operacioneve.

Sipas tij, shifra është rritur me 4 miliardë dollarë krahasuar me vlerësimin e bërë në fund të muajit të kaluar.

Ndërkohë, Komanda Qendrore Amerikane bëri të ditur se operacionet detare pranë porteve iraniane kanë detyruar 65 anije tregtare të ndryshojnë itinerar, ndërsa katër të tjera janë neutralizuar.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane pretendojnë se kontrollojnë plotësisht Ngushticën e Hormuzit dhe se asnjë anije nuk mund të kalojë pa autorizimin e Gardës Revolucionare Islamike.

Javën e kaluar, zëdhënësi i Komandës Qendrore Amerikane, Tim Houkins, deklaroi për median Al Jazeera se prioriteti kryesor i SHBA-ve në Ngushticën e Hormuzit mbetet garantimi i lëvizjes së sigurt të anijeve tregtare dhe frenimi i Iranit në rajon.