Dëshmi tronditëse po dalin në dritë nga aksidenti i ndodhur në Milano, ku një tramvaj doli nga shinat dhe u përplas me një ndërtesë në zonën e Viale Vittorio Veneto.

Një nga pasagjerët ka rrëfyer për agjencinë ANSA se në momentet e para mendoi se bëhej fjalë për një tërmet.

“Mendova se ishte tërmet. Isha ulur dhe rashë në dysheme, së bashku me pasagjerët e tjerë. Ishte e tmerrshme. Për fat të mirë, godita vetëm gjurin, por burri pranë meje po i rridhte gjak nga koka. M’u desh pak kohë të ngrihesha dhe të zbrisja”, tha ai.

Një tjetër pasagjer tregoi se tramvaji fillimisht devijoi nga trajektorja, më pas shtoi shpejtësinë dhe në fund u përplas me ndërtesën.

Sipas mediave italiane, si pasojë e aksidentit ka disa persona të plagosur, ndërsa raportohet se disa qytetarë kanë mbetur të bllokuar poshtë tramvajit. Autoritetet vijojnë ndërhyrjet në vendngjarje, ndërsa shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta.