Tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut janë rritur ndjeshëm, pasi ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi se sulmet kundër grupit të mbështetur nga Irani do të intensifikohen. Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pas një sulmi ajror izraelit që vrau katër persona në jug të Libanit, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.
Pavarësisht armëpushimit të nëntorit 2024, Izraeli vijon të mbajë trupa tokësore në pesë zona të jugut të Libanit dhe ka kryer sulme të rregullta ajrore. Katz akuzoi qeverinë e Bejrutit se po vonohet në zbatimin e marrëveshjes për çarmatimin e Hezbollahut.
“Hezbollahu po luan me zjarrin dhe presidenti i Libanit po tërheq këmbët. Angazhimi i qeverisë libaneze për ta çarmatosur Hezbollahun dhe për ta larguar nga jugu duhet të zbatohet. Ne do të vazhdojmë me maksimumin e forcës dhe do ta shtojmë atë.”-, tha Katz në një deklaratë.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) konfirmuan se goditja ajrore gjatë natës në qytetin Kfar Reman kishte vrarë katër anëtarë të forcës elitare Radwan të Hezbollahut, përfshirë shefin e logjistikës, i cili dyshohej për transport armësh dhe përpjekje për të rindërtuar infrastrukturën terroriste në jug të Libanit.
Sipas mediave libaneze, viktimat janë identifikuar si Jawad Jaber, Hadi Hamid, Abdullah Kahil dhe Muhammad Kahil. Edhe pse i dobësuar ndjeshëm pas luftës me Izraelin vitin e kaluar, që vrau mijëra luftëtarë të Hezbollahut dhe udhëheqësin e tij historik Hassan Nasrallah, grupi mbetet i armatosur dhe financiarisht aktiv.
Marrëveshja e armëpushimit e ndërmjetësuar nga SHBA në nëntor parashikonte që vetëm forcat shtetërore libaneze të mbanin armë, duke nënkuptuar çarmatimin e plotë të Hezbollahut. Por, pavarësisht presionit të SHBA-së, Arabisë Saudite dhe forcave të brendshme libaneze, Bejruti ende nuk ka arritur ta zbatojë plotësisht këtë detyrim.
Burime ushtarake i thanë Reuters-it se forcat libaneze kanë shkatërruar aq shumë depo armësh të Hezbollahut, saqë u kanë mbaruar eksplozivët për misione të tjera çminimi. Megjithatë, ushtria po përpiqet të ruajë ekuilibrin e brishtë, duke respektuar armëpushimin pa rindezur tensionet e brendshme.
Të enjten, trupat izraelite zhvilluan një tjetër sulm tokësor vdekjeprurës në jug të Libanit, çka bëri që presidenti Joseph Aoun të urdhëronte ushtrinë të kundërpërgjigjet ndaj çdo shkeljeje të sovranitetit territorial.
Incidentet e fundit po rikthejnë frikën e një përshkallëzimi të ri rajonal, në një kohë kur situata në Liban mbetet delikate dhe kufiri jugor vijon të jetë një vatër e nxehtë mes armëpushimit të brishtë dhe kërcënimeve të ndërsjella.



