Kryebashkiaku i Crans-Montana, Nicolas Féraud, ka shprehur gatishmërinë për të marrë përsipër përgjegjësitë lidhur me ngjarjet që lidhen me zjarrin tragjik në barin “Le Constellation” gjatë natës së Vitit të Ri, në stacionin turistik të Zvicrës, ku humbën jetën 40 persona dhe u plagosën 116 të tjerë.
Pas heshtjes që mbajti pas konferencës për shtyp të datës 6 janar, ku nuk kërkoi ndjesë për viktimat e tragjedisë, Féraud ka shprehur keqardhjen për mosshprehjen e një kërkese faljeje. Ai tha për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA se qëllimi i asaj konference ishte të informonte publikun, por tani e kupton se ka bërë gabim duke u përqendruar vetëm në aspektin zyrtar të ngjarjes dhe jo duke lënë hapësirë për emocione dhe ndjesë, shkruajnë mediat.
Kryetari ka pranuar se shumë njerëz e shohin atë si një nga fajtorët e mundshëm, por shtoi se do të jetë Prokuroria e Përgjithshme ajo që do të vendosë për përgjegjësitë lidhur me zjarrin që shkaktoi tragjedinë. Ai tha se ndjehet emocionalisht i rënduar nga përgjegjësia, edhe pse nuk është dëgjuar ende në lidhje me hetimet.
“Humanisht, dhe pa spekuluar mbi atë që do të thotë sistemi i drejtësisë, ndjej peshën e përgjegjësisë. Deri tani nuk kam qenë i dëgjuar, por do të marrë përsipër çdo gjë që do të më kërkohet, nëse do të fajësohem,” u shpreh Féraud.
Ai shtoi se ndjen dhimbje të thellë për viktimat e rinj dhe për të plagosurit që ende po vuajnë pasojat e këtij zjarri. “Kjo traumë do të më shoqërojë gjithë jetën. Plaga është e hapur dhe zemra ime është e thyer. Ky është momenti më i keq i jetës sime dhe do të mbetet kështu deri në fund. Kam filluar terapi me një psikolog dhe besoj se do të zgjasë për një kohë të gjatë. Po marr dhe kërcënime për vdekje, kjo më rëndon akoma dhe më shumë”, tha ai.
Top Channel
