Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishte në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku sipas mediave serbe, po kërkon të sigurojë mbështetjen e Presidentit amerikan Donald Trump për një vizitë të planifikuar më 9 maj në Moskë, në kuadër të Ditës së Fitores ndaj Nazizmit.

Përveç marrëdhënieve me Rusinë, Vuçiç synon që në këtë vizitë të shfrytëzojë çdo kontakt për të rihapur temën e Kosovës, duke pretenduar për “standarde të dyfishta” në politikën ndërkombëtare. Në një prononcim për gazetarët, ai deklaroi se në një bisedë me Rudy Giuliani-n, i ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të respektojnë të njëjtën logjikë për Kosovën si për Ukrainën.

“Nuk mund të jeni për respektimin e Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare në Ukrainë, e ndërkohë të mbështesni bombardimin e Serbisë dhe shkëputjen e 13 apo 14% të territorit të saj,” deklaroi Vuçiç, duke e krahasuar rastin e Kosovës me agresionin rus ndaj Ukrainës.

Ai shtoi gjithashtu se nuk mund të mbështetet pavarësia e Kosovës në Prishtinë dhe të anatemohet Milorad Dodik në Bosnje, vetëm pse kërkon më shumë autonomi për Republika Srpskën.

Vuçiç pretendon se gjatë qëndrimit në SHBA do të zhvillojë dy takime me Donald Trump, ku, sipas tij, do të kërkojë mirëkuptim për pozicionin e Serbisë ndaj Kosovës dhe për marrëdhëniet me Moskën. “Kosova është Serbi,” përfundoi ai, duke përsëritur një nga narrativat e tij të zakonshme në skenën ndërkombëtare.