Kancelari gjerman sfidon presidentin rus dhe zhvillon një vizitë surprizë në Ukrainë. Megjithatë rreziku për Friedrich Merz ka qenë tepër i lartë. Vizita u zhvillua nën alarmin e sulmeve ajrore, ndërsa shpërthime u dëgjuan në kryeqytet dhe ura veriore e Kievit u godit sërish nga një sulm rus, sipas autoriteteve ukrainase.
Në takimin me presidentin Volodymyr Zelensky, të dy liderët nderuan ushtarët e rënë në sheshin Maidan, ndërsa presidenti ukrainas paralajmëroi marrëveshje të rëndësishme për forcimin e mbrojtjes.
Kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz u shpreh: “Në një të diel paqësore, një sirenë sulmi ajror ra në Kiev. Mund ta përsëris vetëm edhe një herë nga kjo pikë: Z. Putin, jepini fund kësaj lufte të pakuptimtë. Jemi gati për bisedime, jemi gati të diskutojmë për t’i dhënë fund kësaj lufte, por këto sulme barbare ndaj popullsisë civile të Ukrainës duhet të ndalen. Këto janë krime lufte të përditshme që kryhen këtu. Vendi po përgatitet për dimër. I bëj thirrje edhe një herë udhëheqjes ruse, Presidentit rus: jepini fund kësaj lufte. Mund të flasim, por vetëm pasi të heshtin armët, dhe armët duhet të heshtin.”
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se: “Rusët janë fqinjë absolutisht barbarë dhe pikërisht për këtë arsye kemi një qëndrim të tillë ndaj tyre dhe përjetojmë ditë dhe net kaq të tmerrshme. Por ajo që është pozitive është se kemi unitet dhe kemi partnerë të fortë.”
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se do të intensifikojë goditjet ndaj objekteve ushtarake dhe industrisë së mbrojtjes në Kiev dhe rajone të tjera, në përgjigje të paralajmërimeve të Zelensky-t për shtimin e sulmeve ndaj rafinerive ruse. Ndërkohë, më herët Moska lëshoi një paralajmërim drejtuar diplomatëve dhe shtetasve të huaj që të largohen nga Kievi, për shkak të sulmeve ajrore masive që Rusia kërcënon të ndërmarrë.
