
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka deklaruar se do i dorëzonte një propozim presidentit Volodymyr Zelenskiy për të ndërprerë zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Teheranin pas një vale sulmesh ruse në vend.
Sipas Kievit, Moska po përdor dronë të prodhuar nga Irani. Rusia lëshoi dhjetëra dronë “kamikaze” në Ukrainë të hënën, duke goditur infrastrukturën energjetike dhe duke vrarë disa civilë.
Kievi thotë se sulmet u kryen me drone Shahed-136 të prodhuar nga Irani. Por Teherani mohon furnizimin e Kremlinit me dronë.
Ministri Dmytro Kuleba tha se Kievi është i sigurt se dronët janë iranianë dhe do të ishte gati të ndante një “çantë me prova” me fuqitë evropiane që kanë dyshime.
“Teherani mban përgjegjësi të plotë për shkatërrimin e marrëdhënieve me Ukrainën”, tha Kuleba në një konferencë shtypi. “Unë po i paraqes presidentit të Ukrainës një propozim për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin.”
Kuleba theksoi se i ka kërkuar Bashkimit Evropian të vendosë sanksione ndaj Iranit “që po ndihmon Rusinë për të vrarë ukrainasit”.
“Sanksionet e rënda kundër Iranit janë veçanërisht të rëndësishme tani, pasi ne jemi dëshmitarë të synimeve iraniane për t’i dhënë Rusisë raketa balistike për t’u përdorur kundër ukrainasve. Veprimet e Iranit janë të ndyra. Të gjitha ato veprime u bënë ndërsa Irani na tha se ata nuk e mbështeste luftën dhe nuk do të mbështeste asnjërën nga palët me armët e tyre.”