Tre persona të dyshuar si anëtarë të organizatës palestineze në Berlin janë arrestuar nga policia gjermane. Ata akuzohen për “përgatitje të një akti të rëndë dhune”. Lajmi e bëri të ditur Prokuroria Federale Gjermane, e cila tha se të arrestuarit janë pjesë e një rrjeti të përfshirë në furnizimin me armë për Hamasin.

Siç raportohet tre persont e identifikuar si Abed Al G., Wael F. M. dhe Ahmad I., që nga vera e vitit 2025, dyshohet se janë angazhuar në sigurimin dhe transportimin e armëve të zjarrit dhe municioneve nga Gjermania për llogari të Hamasit.

Sipas autoriteteve, këto armë ishin planifikuar të përdoreshin për sulme vdekjeprurëse ndaj institucioneve izraelite apo hebraike në territorin gjerman. Gjatë arrestimeve të realizuara ditën e sotme, policia gjeti një sasi të konsiderueshme armësh, përfshirë një pushkë automatike AK-47, disa pistoleta dhe municione.