Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar hapur se ka një armiqësi të ndërsjellë mes tij dhe kreut të Kremlinit, Vladimir Putin. Komentet ai i bëri pas takimit me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të zhvilluar të premten në Shtëpinë e Bardhë.
“Putini më urren,” tha Zelensky përpara gazetarëve. I pyetur nëse edhe ai ushqen të njëjtat ndjenja ndaj Putinit, ai reagoi: “Do të ishte e çuditshme të mendoja ndryshe për dikë që përpiqet të na vrasë të gjithëve. Kam të njëjtin qëndrim ndaj këtij njeriu.”
Gjatë deklaratave të tij, lideri ukrainas shprehu mbështetje për thirrjet e Presidentit Trump për një armëpushim të menjëhershëm përgjatë vijave aktuale të frontit, ndërsa u tregua i rezervuar për çështjen e furnizimit me raketa amerikane Tomahawk me rreze të gjatë veprimi.
Nga ana tjetër, Vladimir Putin është shprehur më herët se mund të takohet me Zelenskyn vetëm në fazat e fundit të një procesi paqeje, kur një marrëveshje të jetë gati për nënshkrim.