Tre vajza të reja të moshës 18, 19 dhe 21 vjeç, janë arrestuar në Francë nën dyshimin për planifikimin e një sulmi terrorist.

Sipas mediave vendase, në shënjestër ishin hapësirat publike në Paris, teksa zhvillimi vjen vetëm pak ditë para përkujtimit të dhjetëvjetorit të sulmeve të 13 nëntorit 2015 në Bataclan dhe vende të tjera në kryeqytetin francez. Lajmi u konfirmua nga Zyra Kombëtare e Prokurorit Antiterrorizëm (PNAT), pas raportimeve fillestare të RTL dhe Le Parisien.

Sipas autoriteteve, tre të dyshuarat, të gjitha emigrante me shtetësi franceze dhe që besohet se janë radikalizuar, u arrestuan në Lyon, Vierzon dhe Villeurbanne. Pas marrjes në pyetje, ato u vendosën në paraburgim me urdhër të gjykatës. Ky është sulmi i gjashtë i parandaluar në Francë që nga fillimi i vitit 2025, ndërsa hetimi është hapur me akuzat për “pjesëmarrje në një organizatë terroriste me qëllim përgatitjen e krimeve kundër personave”.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë e Brendshme (DGSI), grupi kishte shënjestruar bare dhe salla koncertesh në Paris, edhe pse ende nuk ishte identifikuar një objektiv specifik.

Hetimet zbuluan se 19-vjeçarja, e konsideruar si organizatorja kryesore e planit, ishte e papunë dhe kishte braktisur shkollën. Sipas RTL, ajo u identifikua përmes kontakteve me një militant islamist, me të cilin dyshohet se ka diskutuar për blerjen e një pushke kallashnikov dhe ndërtimin e rripave vetëvrasës. Autoritetet besojnë se tre vajzat janë takuar të paktën një herë gjatë fazës përgatitore të planit, çka forcon dyshimet për ekzistencën e një qëllimi real për të vepruar.