Një video e postuar në TikTok që pretendon të tregojë një meteorit të rrallë që ra në një kopsht në Panama, ka bërë xhiron e botës duke gjeneruar miliona shikime dhe duke ndezur teori të shumta konspirative për jetë jashtëtokësore, eksperimente të fshehta dhe ndërhyrje të qeverive.

Pamjet tregojnë një masë të errët shkëmbore, nga e cila rrjedh një substancë e gjelbër, që më pas errësohet në një material të zi dhe ngjitës. Më shqetësuese për publikun ishte se objekti dukej se lëvizte në mënyrë të çuditshme, si një “organizëm që merr frymë”.

Në rrjete sociale u përhapën komente të panikut dhe kuriozitetit: nga “po vijnë alienët”, te hipotezat për teknologji të avancuara të fshehura dhe manipulime me grafikë digjitale apo inteligjencë artificiale. Autori i videos madje pretendoi se kishte kontaktuar universitetet lokale, por pa marrë përgjigje – një detaj që e thelloi më tej narrativën e një “fenomeni që po mbahet i fshehur”.

Por, ndërsa rrjetet shpërthenin me teori, shkenca ofroi një përgjigje shumë më tokësore.

Zgjidhja e misterit erdhi nga përdorues të forumit Reddit, të cilët identifikuan se objekti nuk ishte meteorit, por një eksperiment kimik me përbërës të zakonshëm:
– Polidimetilsiloksani (PDMS), një polimer silikoni i përdorur gjerësisht në produkte shtëpiake dhe mjekësore
– dhe heksani, një tretës që, kur avullon në mënyrë të pabarabartë, shkakton tkurrjen e polimerit me lëvizje të papritura e të çrregullta.

Ky kombinim krijon efektin vizual të një mase që “pulson”, çka në kamera duket si një krijesë e gjallë. Shtuar strukturës ngjitëse dhe ngjyrës së errët, rezultati është një objekt që duket si jashtëtokësor – por që në të vërtetë është produkt i kimisë bazike dhe pak teatrali.

Nuk ka asnjë provë që të mbështesë teoritë për alienë apo përplasje meteoritësh. Asnjë institucion zyrtar nuk ka raportuar për një fenomen të tillë hapësinor, dhe asnjë analizë shkencore nuk ka vërtetuar ndonjë përbërës të pazakontë në “objektin misterioz”.

Në kohën e mediave sociale dhe viralitetit, një eksperiment i thjeshtë mund të shndërrohet lehtësisht në një “fenomen global”, sidomos kur mungon konteksti dhe publiku është i etur për mistere. Por, siç ndodh shpesh, shpjegimi është më i thjeshtë se sa duket: jo alienë, vetëm pak silikon dhe tretës kimik.