Në një nga historitë më tronditëse që ka prekur edhe hetues me përvojë, policia britanike po përgatitet të mbyllë një hetim me tri foshnje, të braktisura në rrethana pothuajse identike, në zona të afërta të Londrës lindore, pa asnjë gjurmë të prindërve të tyre.

Foshnja e parë, e quajtur Harry nga stafi mjekësor, u gjet në vitin 2017 e mbështjellë me batanije në një shkurre në Plaistow. Dy vite më vonë, në janar 2019, një tjetër foshnjë, Roman, u gjet në temperatura ngrirëse, e futur në një qese blerjeje në të njëjtën zonë. Rasti i tretë ndodhi në janar 2024, kur një shëtitës me qen zbuloi një foshnjë vetëm një orë të lindur, të braktisur në një qese të një farmacie, në temperatura deri në -4 gradë.

Testet e ADN-së zbuluan se të tre foshnjat janë motra e vëllezër, çka e ktheu hetimin në një nga më të ndërlikuarit në historinë e policisë londineze. Për vite me radhë, dhjetëra hetues analizuan qindra orë pamje kamerash, përdorën analiza gjenetike familjare dhe ndoqën pista në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe jashtë saj.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve ekstreme, autoritetet nuk kanë arritur të identifikojnë nënën apo ndonjë të afërm të drejtpërdrejtë. Zona ku u lanë foshnjat mendohet se është zgjedhur me kujdes, pasi nuk ka kamera sigurie, duke e bërë autorin praktikisht të padukshëm.