Një operacion policor është zhvilluar mëngjesin e kësaj të mërkure, më 14 tetor, në selinë e televizionit Halk TV në Stamboll, një media e njohur për qëndrimet pranë opozitës turke. Ndërhyrja është shoqëruar me ndërprerjen e transmetimit të drejtpërdrejtë dhe emërimin e një administratori për drejtimin e televizionit.
Lajmi u bë i ditur nga vetë televizioni përmes një deklarate të publikuar në platformën X, ku njoftohet se forcat e policisë kanë hyrë në ambientet e medias dhe se transmetimet janë ndërprerë. “Policia është brenda ndërtesës së Halk TV. Është emëruar një administrator për të marrë përsipër drejtimin e stacionit. Transmetimet e drejtpërdrejta janë ndërprerë”, thuhet në deklaratë.
Sipas mediave turke, efektivët kanë hyrë në ndërtesë rreth orës 05:30 të mëngjesit dhe kanë kryer kontrolle në ambientet e televizionit. Ndërkohë, rruga përpara selisë është bllokuar, ndërsa pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë punonjësit e televizionit të mbledhur jashtë godinës, pasi nuk janë lejuar të hyjnë brenda. Gjatë ndërhyrjes, drejtori i përgjithshëm i lajmeve të Halk TV, Suat Toktas, është përpjekur të sigurojë vazhdimin e transmetimit, duke kontaktuar administratorin e emëruar për drejtimin e medias, por pa rezultat.
