Protesta dhe trazira kanë shpërthyer në rajonin e Parisit dhe shkak është bërë vrasja e një 17-vjeçari nga policia. I riu thuhet se nuk ka ndaluar kur policia rrugore e urdhëroi atë që të ndalonte.
Ndërkohë një video që qarkullon në rrjetet sociale, tregon një oficer policie që i drejton armën shoferit të një makine, përpara se të dëgjohet një e shtënë. Makina më pas përplaset.
Lidhur me videon e shpërndarë në rrjet ka reaguar ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, i cili e ka cilësuar si ‘jashtëzakonisht tronditëse’.
Mediat e huaja shkruajnë se adoleshenti i identifikuar si Nael M., vdiq si pasojë e plagëve të plumbave në gjoks, pavarësisht ndihmës së urgjencës.
Nga ana tjetër, oficeri që dyshohet se qëlloi, u arrestua nën akuzën për vrasje.
Nael M. është personi i dytë që vritet këtë vit në Francë nga të shtënat e policisë në trafik. Vitin e kaluar, 13 persona u vranë në këtë mënyrë.
Vrasja e Nael M. nxiti një seri protestash mbrëmjen e së martës në Nantere – zonë në perëndim të Parisit, ku u vra adoleshenti.
Disa makina dhe kosha plehrash u dogjën, ndërsa stacione të autobusëve u shkatërruan. Së paku 24 persona u arrestuan pas trazirave.