Votime në Greqi


Sondazhet e ditës së sotme të zgjedhjeve paralajmërojnë për humbje dramatike


Partia Nea Demokratia besohet se ka marrë mes 17 dhe 20 për qind të votave në zgjedhjet e sotme në Greqi ndërkohë që partia Pasok e së majtës nuk qe në gjendje të renditet as në vend të dytë, pasi u kapërcye nga koalicioni Syriza i përbërë nga partitë e ekstremit të majtë, njofton BBC.


Pasok dhe Nea Demokratia, të cilat kanë zëvendësuar njëra-tjetrën në qeverisje prej shumë dekadash, aktualisht janë në një koalicion në mbështetje të një qeverie të përkohëshme teknokratësh. Që të dyja sëbashku besohet se kanë marrë më pak se gjysmat e votave të të gjithë grekëve.


Rezultatet e sondazheve, të cilat u transmetuan nga televizionet lokale thonë se Nea Demokratia ka fituar 17-20 për qind të votave, pasuar nga Syriza me 15.5-18.5 për qind dhe Pasok me 14-17 për qind.


Në zgjedhjet e vitit 2009, Nea Demokratia pati fituar 33.5 për qind ndërsa Pasok 43.9 për qnd.


Neonazistët e Agimit të Artë pritet të hyjnë në parlament për herë të parë në histori pasi sondazhi tregon se kanë fituar mes 6 dhe 8 për qind të votave.


Rezultatet zyrtare pritet të shpallen në orët e para të mëngjesit të së hënës. 6 Maj 2012 (gazeta-Shqip.com)