Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka reaguar me ton të qetë pas komenteve të ashpra të homologut izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili e cilësoi atë si një “politikan të dobët” për shkak të vendimit të Australisë për të njohur kushtimisht një shtet palestinez.
Në një konferencë për media të mërkurën, Albanese tha se gjithmonë mban marrëdhënie diplomatike me liderë të tjerë dhe se deklaratat e Netanyahut nuk i merr personalisht. “Ai ka bërë deklarata të ngjashme edhe për udhëheqës të tjerë,” u shpreh kryeministri australian.
Vendimi i Canberrës për të mbështetur njohjen e shtetit palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator ka ndezur tensionet diplomatike me Izraelin. Si kundërpërgjigje, qeveria izraelite revokoi vizat e diplomatëve australianë pranë Autoritetit Palestinez, pasi Australia kishte anuluar më herët vizën e një ligjvënësi izraelit për shkak të deklaratave të tij kontroverse.
Ministri australian i Punëve të Brendshme, Tony Burke, e mbrojti vendimin duke thënë se forca e një vendi nuk matet me viktima apo urinë e shkaktuar, por me vendime të drejtë dhe të guximshme. Ndërkohë, Netanyahu reagoi në rrjetin X, duke thënë se historia do ta kujtojë Albanesen si një lider që “tradhëtoi Izraelin dhe hebrenjtë australianë”.
Albanese shtoi se kishte informuar paraprakisht Netanyahun për vendimin dhe i kishte dhënë mundësinë të shpjegonte një alternativë politike. Situata ndodh në një kohë kur Izraeli përballet me presion ndërkombëtar për ofensivën e tij në Rripin e Gazës, e cila ka shkaktuar mijëra viktima civile dhe ka futur popullsinë palestineze në një krizë humanitare. Konflikti nisi gati dy vjet më parë pas sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit, ku mbetën të vrarë 1,200 persona dhe u morën qindra pengje.
