Duket se Parlamenti i Shqipërisë nuk është i vetmi, ku mbizotëron kaosi dhe tensioni, e ku politikëbërja kthehet në një sherr. Teksa në Tiranë, opozita hidhte letra dhe shishe uji drejt Ramës, përtej Adriatikut në Romë, plasnin grushtat.

Në Dhomën e Ulët të Parlamentit italian u miratua për herë të tretë projektligji për ndarjen e karrierave mes gjyqtarëve dhe prokurorëve, një reformë e mbështetur fort nga qeveria e djathtë. Por dita e triumfit për shumicën u kthye në një kaos parlamentar, me përplasje fizike dhe ofendime të ashpra mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

Rreth orës 12:00, pas votimit të reformës, Ministri i Jashtëm Antonio Tajani (Forza Italia) shpërtheu në entuziazëm, duke e quajtur këtë një “fitore të madhe në emër të Silvio Berlusconit”. Ndërkohë, zv.ministri i Drejtësisë, Francesco Paolo Sisto, ngriti grushtat drejt qiellit në shenjë feste.

Këto reagime u panë si provokime nga opozita. Deputetët e “Partisë Demokratike”, “Lëvizjes 5 Yje” dhe “Aleancës së Gjelbër-Socialiste”, shpërthyen në thirrje kundërshtuese dhe protesta verbale.

Deputetët e majtë, përfshirë emra si Fornaro, Cuperlo, Stumpo, Amendola dhe Elly Schlein, zbritën drejt bankave të qeverisë, teksa situata eskaloi dhe për pak u kthye në përleshje fizike.