Një skandal politik ka shpërthyer në SHBA pas akuzave për një lidhje jashtëmartesore mes një kongresmeni dhe një vartëseje të tij, e cila më pas humbi jetën në rrethana tragjike.
Bashkëshorti i ish-punonjëses së Kongresit, Regina Santos-Aviles, ka akuzuar përfaqësuesin republikan nga Teksasi, Tony Gonzales, për “abuzim me pushtetin”, duke pretenduar se ai kishte një lidhje romantike me gruan e tij.
Adrian Aviles deklaroi se e zbuloi lidhjen në fund të majit 2024, pasi pa mesazhe me përmbajtje intime në telefonin e bashkëshortes. Sipas tij, pas zbulimit të aferës, ajo u përball me ftohje në ambientin e punës dhe gjendja e saj emocionale u përkeqësua ndjeshëm në muajt që pasuan.
Më 13 shtator 2025, Santos-Aviles u lye me benzinë dhe i vuri flakën vetes në oborrin e banesës së saj në Uvalde, Teksas, duke ndërruar jetë një ditë më pas si pasojë e plagëve të marra. Familjarët kanë lënë të hapur mundësinë që ngjarja të ketë qenë aksidentale, ndërsa bashkëshorti i saj e ka cilësuar si një “thirrje për ndihmë që përfundoi në tragjedi”.
Nga ana tjetër, Gonzales i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si shpifje dhe duke theksuar se do të vijojë të përqendrohet në detyrën e tij si ligjvënës. Ngjarja ka nxitur reagime dhe debat mbi etikën në marrëdhëniet mes zyrtarëve të zgjedhur dhe stafit të tyre.
