Ministria polake e Mbrojtjes po përgatit një projektligj për gatishmërinë e plotë të shtetit në rast lufte, me synimin për të përmirësuar organizimin e mbrojtjes dhe për të lehtësuar lëvizjen e trupave polake dhe aleate, sipas PAP (Agjencia Polake e Shtypit).
Projektligji është ende në fazën e konsultimeve të brendshme në Ministrinë e Mbrojtjes dhe nuk dihet ende se kur do t’i paraqitet parlamentit.
Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Cezary Tomczyk, tha dje se ministria po punon për këtë legjislacion prej disa javësh.
Ministri polak i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministri, Władysław Kosiniak-Kamysz tha se projektligji, i quajtur “ligji para luftës”, është hartuar duke marrë në konsideratë mësimet e nxjerra nga lufta në Ukrainë.
Ai tha se përvoja e Ukrainës është analizuar për të identifikuar ndryshime, që mund të përshtaten me sistemin polak.
Sipas të dhënave të publikuara nga e përditshmja polake “Rzeczpospolita” dhe të konfirmuara nga zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, projektligji parashikon mundësinë e lëvizjes më të hershme të trupave, përfshirë trupat aleate, si dhe planin polak të reagimit mbrojtës me sistemin e reagimit të NATO-s.
Parashikohen gjithashtu masa për përgatitjen e infrastrukturës së nevojshme.
Projektligji synon gjithashtu të përcaktojë më qartë, funksionimin e strukturave shtetërore të përfshira në gatishmërinë dhe komandën e mbrojtjes, si dhe rregullat për personelin civil që punon në qendrat e komandës.
Ai parashikon ndryshime edhe në fushën e planifikimit operacional, trajnimeve dhe stërvitjeve të mbrojtjes.
Në të njëjtën kohë, Tomczyk konfirmoi se më 1 tetor hynë në fuqi procedura të reja ushtarake për identifikimin dhe rrëzimin e avionëve dhe raketave të huaja që shkelin hapësirën ajrore polake.
Sipas tij, në kushte të caktuara, vendimi për përdorimin e forcës, mund të bazohet në një kombinim të të dhënave, përfshirë informacionin nga radarët, hyrjen në një zonë të kufizuar dhe informacionin e marrë nga aleatët ukrainas për natyrën e objektit.
Ministri Kosiniak-Kamysz tha se masat synojnë të krijojnë rregulla të qarta për veprimin në situata që kërkojnë reagim të shpejtë.
Ai përmendi si shembuj të kërcënimeve të sigurisë shkeljet e hapësirës ajrore nga raketa të huaja, fluturimet e dronëve pranë kufirit, aktet e sabotimit, ndërhyrjet në sinjalet GPS dhe dëmtimet e kabllove nënujore në Detin Baltik.
