Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka nënshkruar zyrtarisht miratimin për vendosjen e trupave shtesë të NATO-s në territorin polak. Dislokimi bëhet në kuadër të operacionit “Roja Lindore“, një masë e konsideruar si përforcim i sigurisë kombëtare përballë kërcënimeve në rritje nga lindja, veçanërisht pas incidenteve të fundit me dronë rusë që kanë shkelur hapësirën ajrore polake.

“Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, nënshkroi një dekret për të dhënë pëlqimin për praninë në territorin e Polonisë të kontingjentit të forcave të huaja nga shtetet anëtare të NATO-s, në kuadër të përforcimit të Republikës së Polonisë në kuadër të operacionit ‘Roja Lindore’,” thuhet në njoftim, sipas mediave polake.

Vendimi vjen ndërkohë që tensionet midis NATO-s dhe Rusisë janë rritur, sidomos pas ndërhyrjes së avionëve polakë dhe të aleatëve për rrëzimin e dronëve që shkelën kufirin ajror të Polonisë më 10 shtator. Kryeministri Donald Tusk ka paralajmëruar se situata është më e rrezikshmja që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ka kërkuar konsultime urgjente me aleatët e NATO-s në bazë të Nenit 4 të Traktatit të Aleancës.

Forcat aleate, përfshirë avionë luftarakë F-35 nga Holanda dhe avionë të NATO-s për mbikëqyrje ajrore, morën pjesë në operacionin për mbrojtjen e hapësirës ajrore polake. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë mohon që objektivat të kenë qenë në territorin e Polonisë dhe shpreh gatishmërinë për të zhvilluar bisedime me palën polake.