Polonia po përgatitet të vendosë 10,000 ushtarë për të mbrojtur infrastrukturën kritike në të gjithë vendin, me qëllim që të “parandalojë aktet e sabotimit dhe të rrisë nivelin e sigurisë për qytetarët polakë”, tha sot Ministri polak i Mbrojtjes Wladyslaw Kosciniak-Kamysz.
Plani vjen në përgjigje të incidenteve të sabotimit në rrjetin hekurudhor fundjavën e kaluar, të cilat Ministri i Jashtëm Radoslaw Sikorski i kishte përshkruar më parë si “terrorizëm shtetëror” nga Rusia. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm paralajmëron përpara Krishtlindjeve.
Armiqtë e vendit mund t’i konsiderojnë netët më të gjata të dimrit dhe periudhën e Krishtlindjeve “kohën më të përshtatshme për një sulm”, paralajmëroi ndërkohë një gjeneral polak. Duke folur në të njëjtën konferencë për shtyp me zëdhënësin e Forcave të Sigurisë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Polake, Wiesław Kukula, paralajmëroi se netët e gjata të dimrit dhe festat e ardhshme të Krishtlindjeve “mund të perceptohen nga armiqtë tanë si momenti më i përshtatshëm për të goditur sigurinë tonë”.
“Nata, e cila ofron mbulim natyror për këtë lloj veprimi, do të jetë shumë e gjatë në javët në vijim. Në pak më shumë se një muaj, fillojnë festat e Krishtlindjeve, një periudhë gjatë së cilës shumica e polakëve do të udhëtojnë, kryesisht me transport publik. Kjo dritare kohore mund të perceptohet nga armiqtë tanë si momenti më i përshtatshëm për të goditur sigurinë tonë”, tha ai.
“Nuk duhet ta lejojmë këtë”, vuri në dukje ai. Ai gjithashtu paralajmëroi se “qëllimet e Rusisë mbeten të pandryshuara dhe ngjarjet e javëve të fundit përshkruajnë një gamë të gjerë incidentesh të mundshme që mund të ndodhin”. Më herët sot, Varshava urdhëroi ngritjen e nxituar të avionëve luftarakë polakë dhe aleatë dhe avionëve AWACS në orët e para të mëngjesit mes sulmeve me raketa dhe dronë rusë në sektorët e Ukrainës perëndimore, pranë kufirit me Poloninë, njoftoi komanda e operacioneve të shtabit të përgjithshëm të shtetit anëtar të NATO-s.
“Çifte avionësh luftarakë me reagim të shpejtë dhe një avion paralajmërues u ngritën me nxitim dhe sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe të mbikëqyrjes së hapësirës ajrore u vunë në gatishmëri maksimale”, shpjegoi komanda nëpërmjet X.
Vendi është në gatishmëri të lartë pas incidenteve të sabotimit që i atribuohen Rusisë. Kujtohet se Varshava njoftoi dje se do të vendoste një nivel më të lartë kërcënimi në disa linja hekurudhore dhe do të përdorte ushtrinë për të mbrojtur infrastrukturën kritike. Kjo deklaratë u bë pas incidenteve të sabotimit me “origjinë ruse”, siç ishte shpërthimi në linjën hekurudhore Varshavë-Lublin, e cila lidh kryeqytetin polak me kufirin ukrainas.
Klima shqetësuese që mbizotëron në Poloni pasqyrohet në deklaratën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Wiesław Kukulka , se Rusia ” ka filluar të përgatitet për luftë ” dhe se vendi i tij “ka hyrë në një fazë para luftës”.
