Polonia e ka paralajmëruar presidentin rus Vladimir Putin, se nuk mund të fluturojë nëpër hapësirën ajrore polake për të takuar Donald Trump në Budapest, sepse në atë rast autoritetet polake mund të detyrohen të ekzekutojnë urdhrin e arrestit të lëshuar kundër tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale e Hagës.
Gjykata Ndërkombëtare me seli në Hagë, lëshoi një urdhër-arresti kundër presidentit rus në vitin 2023, për rrëmbimin e qindra fëmijëve nga Ukraina dhe transferimin e tyre në Rusi. Moska nuk e njeh Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe juridiksionin e saj dhe i mohon akuzat.
“Nuk mund të garantoj që një gjykatë e pavarur polake nuk do ta urdhërojë qeverinë të detyrojë aeroplanin të ulet me qëllim që të dorëzojë të dyshuarin në gjykatën e Hagës”, tha ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski, për “Radio Rodzina”.
Urdhër-arresti ndërkombëtar i GJND-së i detyron gjykatat e shteteve anëtare të vazhdojnë me arrestimin e Putinit nëse ai shkel në territorin e tyre.
“Unë besoj se pala ruse është në dijeni të kësaj. Dhe, si pasojë, nëse ky samit do të zhvillohet, shpresoj me pjesëmarrjen e viktimës së sulmit, aeroplani do të përdorë një rrugë tjetër”, shpjegoi Sikorski.
Hungaria, kryeministri i së cilës mban marrëdhënie të mira me Putinin, ka thënë se do të sigurojë që presidenti rus të mund të hyjë dhe të dalë nga vendi. Megjithatë, nëse dëshiron të shmangë hapësirën ajrore ukrainase, delegacioni rus do të detyrohet të kalojë nëpër hapësirën ajrore të të paktën një vendi të Bashkimit Evropian.
Të gjitha vendet e Bashkimit Evropian janë anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Hungaria në veçanti është në proces tërheqjeje.