Autoritetet britanike janë duke hetuar një incident të rëndë të ndodhur javën e kaluar në Mançester, ku një fluturim i Ryanair u ul me vetëm gjashtë minuta karburant në rezervuarët e tij.
Fluturimi FR3418, i cili ishte nisur nga Piza, Itali, për në Prestwick, Skoci, u përball me kushte të këqija moti për shkak të stuhisë Amy, me erëra që arrinin shpejtësinë 160 kilometra në orë.
Pas tre përpjekjeve të dështuara për të ulur avionin në Prestwick, pilotët bënë një telefonatë emergjente dhe u drejtuan për në Mançester, ku kushtet ishin pak më të favorshme. Boeing 737-800 kishte vetëm 220 kilogramë karburant kur më në fund u ul, një sasi që përkon me vetëm 5-6 minuta fluturimi në kushte normale.
Një pilot që shqyrtoi regjistrin e fluturimit u shpreh: “Kur uleni me më pak se 2 ton karburant, bëheni shumë të kujdesshëm. Kur është më pak se 1.5 ton, filloni të shqetësoheni. Por kjo është shumë afër një përplasjeje.”
Një zëdhënës i Ryanair tha se kompania e raportoi menjëherë incidentin tek autoritetet përkatëse, por nuk dha më shumë detaje pasi hetimi është ende duke vazhduar nga Dega e Hetimit të Aksidenteve Ajrore.
Një pasagjer i aeroplanit i tha gazetës Ayr Advertiser se përpjekjet për ulje kishin zgjatur rreth dy orë, me dy tentativa të dështuara në Prestwick, para se të nisej për në Edinburg dhe më pas për në Mançester.
Avioni kishte gjithsej 189 pasagjerë në bord.