Administrata e Presidentit Donald Trump ka lançuar një program të ri që ofron deri në 3,000 dollarë për migrantët pa dokumente që pranojnë të largohen vullnetarisht nga Shtetet e Bashkuara para fundit të vitit. Ky program është pjesë e masave të ashpra të administratës Trump për të ulur numrin e migrantëve të parregullt që ndodhen në vend.
Sipas autoriteteve amerikane, migrantët që duan të përfitojnë nga ky program mund të regjistrohen përmes një aplikacioni të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, ku duhet të japin të dhënat e tyre personale për të siguruar një udhëtim falas drejt vendit të origjinës.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e mbështeti këtë nismë, duke theksuar se migrantët pa dokumente “duhet të përfitojnë nga kjo mundësi dhe të vetë-deportohen”, dhe paralajmëroi se ata që nuk e bëjnë këtë do të përballen me arrestim dhe dënime të tjera.
