Negociatat mes SHBA-së dhe Iranit po afrohen drejt një marrëveshjeje, por programi bërthamor i Teheranit mbetet pika më e vështirë e diskutimeve.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se bisedimet po zhvillohen “në mënyrë të rregullt dhe konstruktive”, duke theksuar se Uashingtoni nuk do të nxitojë për firmosjen e marrëveshjes.
“Koha është në anën tonë. Marrëveshja duhet bërë siç duhet”, shkroi Trump në rrjetin “Truth Social”, ndërsa konfirmoi se bllokada detare amerikane ndaj Iranit do të mbetet në fuqi deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Sipas raportimeve të “New York Times”, Irani ka pranuar në parim rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa drafti i marrëveshjes parashikon që Teherani të angazhohet të mos synojë prodhimin e armëve bërthamore dhe të heqë dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar në nivele të larta.
Raportohet se një pjesë e uraniumit mund të hollohet, ndërsa pjesa tjetër të transferohet në një vend të tretë, ku përmendet edhe Rusia.
Megjithatë, agjencia iraniane Fars deklaroi se Teherani nuk ka marrë ende angazhime konkrete për programin bërthamor, duke lënë të hapur pikën më të ndjeshme të negociatave.
Raundi i ardhshëm i bisedimeve pritet të zhvillohet më 5 qershor në Pakistan, ndërsa dokumenti i mundshëm mund të quhet “Deklarata e Islamabadit”.
Zhvillimet kanë rritur shqetësimet në Izrael. Sipas Axios, marrëveshja mund të përfshijë edhe ndalimin e operacioneve ushtarake izraelite në Liban, çka ka shtyrë kryeministrin Benjamin Netanyahu të mbledhë kabinetin e sigurisë për konsultime urgjente.
Ndërkohë, burime amerikane të cituara nga Bloomberg sqarojnë se marrëveshja nuk pritet të firmoset sot, pasi negociatat për detajet kryesore vijojnë ende.
