Zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, ka shprehur shqetësimin e saj për fatin e fëmijëve ukrainas dhe rusë të prekur nga konflikti, përmes një letre personale drejtuar presidentit Vladimir Putin, sipas burimeve të Shtëpisë së Bardhë.

Letra iu dorëzua Putinit nga vetë presidenti Donald Trump gjatë samitit të zhvilluar të premten në Alaska, kanë konfirmuar për Reuters dy zyrtarë amerikanë.

Në dokumentin e nënshkruar nga zonja Trump, theksi vihej te rrëmbimi i fëmijëve gjatë luftës dhe pasojat e tij të rënda humanitare.

Autoritetet ukrainase e kanë cilësuar deportimin e dhjetëra mijëra fëmijëve drejt territoreve të pushtuara ose në Rusi si një krim lufte, duke e lidhur atë me përkufizimin e gjenocidit në bazë të traktatit të Kombeve të Bashkuara.