Sipas “The Telegraph”, presidenti amerikan Donald Trump po përgatitet t’i propozojë presidentit rus Vladimir Putin një marrëveshje që përfshin qasje në burimet e mineraleve të rralla, si pjesë e një pakete për arritjen e paqes në Ukrainë.

Trump pritet të mbërrijë të premten në Alaskë për takimin e shumëpritur me Putinin, duke sjellë disa oferta që synojnë ta bindin Moskën të ndalë luftën. Midis tyre janë lehtësimi i disa sanksioneve amerikane ndaj industrisë ajrore ruse, dhënia e aksesit në burimet natyrore të Alaskës dhe, veçanërisht, në mineralet e rralla që ndodhen në territoret ukrainase aktualisht të pushtuara nga Rusia.

Gjatë një konference për shtyp të mërkurën, Trump paralajmëroi se nëse Putin nuk pranon të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit gjatë këtij takimi, ai do të përballet me “pasoja të rënda”. Presidenti amerikan bëri të ditur gjithashtu se planifikon një takim të dytë menjëherë pas këtij, ku do të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.