Brukseli nuk e konfirmon arritjen e një marrëveshjeje për prefiksin e Kosovës, pavarësisht se mediat kosovare më herët raportuan se Serbia ka pranuar marrëveshjen me Kosovës për çështjen e telekomunikacionit. Maja Kocijançiq, zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme, Catherine Ashton e cila ka ndërmjetësuar takimet e kryeministrave të Thaçi e Daçiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ende nuk ka asgjë të re rreth kësaj teme.
“Ende nuk ka ndonjë lajm për pranimin e marrëveshjes. Ne shpresojmë që të dyja palët të arrijnë marrëveshjen sa më shpejtë që është e mundur”, ka thënë shkurtimisht Kocijançiq. Një ditë më parë, delegacioni kosovar për dialogun teknik i kryesuar nga zëvendës kryeministrja Edita Tahiri kishte thënë se pala kosovare është pajtuar me versionin e fundit të marrëveshjes, ndërsa pala serbe ka kohë deri sot. Ndërkohë edhe burime nga qeveria serbe, kanë mohuar arritjen e marrëveshjes për agjencinë e lajmeve Beta. Arritjen e ujdisë e ka mohuar edhe zëvendësministri i Jashtëm së Kosovës, Petrit Selimi, i cili në llogarinë e tij në Twitter ka shkruar se ende nuk ka ujdi dhe se ende pritet përgjigja e Beogradit “ndaj propozimit të BE-s”.
Ministri serb, Rasim Lajiq ka deklaruar më herët se afati për marrëveshje mbi telekomunikacionin skadon më 8 gusht dhe se, në qoftë se kjo çështje nuk harmonizohet ndërmjet dy palëve, atëherë nuk do të zhvillohet as takimi i radhës ndërmjet kryeministrave Daçiq e Thaçi më 27 gusht në Bruksel.
Marrëveshja është që pala kosovare të marrë kodin ndërkombëtar, +383, ndërsa për këtë të aplikojë një prej vendeve anëtare të BE-së.
8 gusht 2013 (gazeta-Shqip.com