Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se SHBA-të do të ndihmojnë në nxjerrjen e anijeve të bllokuara nga Ngushtica e Hormuzit, duke filluar nga dita e hënë.

“Për të mirën e Iranit, Lindjes së Mesme dhe Shteteve të Bashkuara, ne u kemi thënë këtyre vendeve se do t’i nxjerrim anijet e tyre në mënyrë të sigurt nga këto rrugë ujore të kufizuara”, shkroi ai në rrjetet sociale, pa specifikuar se cilat vende do të merrnin ndihmë.

Trump tha se çdo ndërhyrje në proces, të cilin ai e quajti “Operacioni Liria”, do të “duhet të trajtohet me forcë”, shkruan BBC.

Irani e ka kufizuar transportin përmes kësaj rruge ujore jetësore që nga fillimi i luftës në shkurt. SHBA-të kanë zbatuar gjithashtu një bllokadë detare në portet iraniane.

Ligjvënësi i lartë iranian, Ebrahim Azizi , një ish-komandant në Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, shkroi në mediat sociale se “çdo ndërhyrje amerikane” do të “konsiderohej shkelje e armëpushimit”.

Trump tha gjithashtu se përfaqësuesit e SHBA-së po zhvillonin diskutime “shumë pozitive” me Iranin dhe se këto bisedime “mund të çonin në diçka shumë pozitive për të gjithë”.

Ai shtoi se operacioni do të ishte një “gjest humanitar” i bërë në emër të SHBA-së, Iranit dhe vendeve të tjera të Lindjes së Mesme, pa renditur se cilat vende. Ai nuk dha detaje të mëtejshme se si do të menaxhohej bashkëpunimi me Teheranin.