Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka bërë të ditur se më 27 shtator synon të largohet nga posti i kreut të shtetit. Ai tha se në këtë datë do t’u drejtohet qytetarëve me një mesazh, ku pritet t’i falënderojë për mbështetjen gjatë viteve të tij në Presidencë.

Duke folur për përfundimin e mandatit të tij, Vuçiç deklaroi se e konsideron të gjatë periudhën gjatë së cilës ka drejtuar vendin dhe se, pas largimit, synon t’i rikthehet jetës si qytetar i zakonshëm.

Ai tregoi gjithashtu se ka menduar edhe për mënyrën se si do ta kalojë periudhën pas Presidencës. Sipas Vuçiç, një nga planet është të udhëtojë nëpër Serbi, përfshirë zona rurale dhe vende më të largëta, duke përdorur edhe një kamper që ka siguruar për këto udhëtime.

Kreu i shtetit paralajmëroi se aktiviteti i tij publik nuk do të përfundojë me largimin nga Presidenca. Ai foli për zhvillimin e disa tubimeve të mëdha në qytetet kryesore të vendit. Beogradi, Novi Sadi dhe Kragujevci janë mes ndalesave të parashikuara, ndërsa aktiviteti përmbyllës pritet të zhvillohet në Nish.

Deklarata e fundit konkretizon paralajmërimet e mëparshme të Vuçiç, i cili kishte sinjalizuar se fundi i shtatorit mund të shënonte përfundimin e qëndrimit të tij në krye të shtetit.

Megjithatë, largimi nga Presidenca nuk duket se nënkupton edhe tërheqjen e tij nga politika aktive. Vuçiç kryeson listën “Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar”, ndërsa emri i tij pritet të propozohet për postin e kryeministrit, duke hapur mundësinë e një kapitulli të ri në karrierën e tij politike.