Barack ObamaDuke u përballur me mundësinë e një gare deri në votën e fundit në fushatën e tij për rizgjedhje, Presidenti Barack Obama do të fillojë një fushatë dyditore intensive në gjashtë shtete të rëndësishme me shpresë se në këtë mënyrë, do të anashkalojë avancimin në shkallë kombëtare të konkurrentit të tij republikan, Mitt Romney.


Sondazhet tregojnë se megjithëse Obama pati një performancë të fortë në debatin e fundit televiziv me Romney-n, ai fitoi pak ose aspak vota. Zgjedhjet në SHBA pritet të zhvillohen më 6 nëntor.


Kandidatët janë në thelb barazim dhe amerikanët mbeten të ndarë mes alternativës për t’i dhënë Obamës më shumë kohë për të rigjallëruar ekonominë dhe ish-drejtorit të biznesit që argumenton se është më i aftë në krijimin e vendeve të punës.


Obama do të bëjë fushatë në Ioua dhe më pas në Kolorado, Nevada, Florida dhe Virxhinia, do të hedhë votën e tij paraprakisht në shtëpinë e vet në Çikago dhe pastaj do të mbyllë turin në Ohajo.


Obama zakonisht kthehet në Uashington pas një udhëtimi njëditor për fushatë apo fle në hotele në rastet e vizitave më të gjata, por në këtë rast, do ta kalojë natën në avionin presidencial në udhëtimin mes Las Vegasit dhe Tampës për të kursyer kohë.


Në rang kombëtar, Obama gëzon mbështetjen e 46 për qind të votuesve ndërsa Romney mbështetet nga 45 për qind. Por më e rëndësishme është fakti se Romney ka arritur të rikuperojë në disa shtete vendimtare, gjë që i jep mundësi reale ta sfidojë për zgjedhjet. Çelësi i zgjedhjeve mund të jetë Ohajo, ku të dy kandidatët janë shumë pranë njëri-tjetrit.


Ndërkohë, të dy kandidatët po përgatiten edhe për debatin e tretë dhe të fundit, debat që pritet të përqendrohet te politika e jashtme. Këtu Obama shpreson të fitojë nga suksesi i tij në vrasjen e Osama bin Ladenit.