Presidenti palestinez Mahmoud Abbas, përmes një videolidhjeje me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka bërë thirrje për një armëpushim të përhershëm dhe një zgjidhje të drejtë politike që garanton të drejtat e popullit palestinez.

Në fjalimin e tij, Abbas theksoi nevojën për akses të menjëhershëm humanitar në Gaza, nëpërmjet Kombeve të Bashkuara dhe agjencisë UNRËA. Ai gjithashtu deklaroi se duhet të garantohet lirimi i të gjithë pengjeve dhe i të burgosurve.

Abbas nënvizoi se Autoriteti Palestinez është i vetmi entitet legjitim dhe i kualifikuar për të marrë përgjegjësi të plotë për qeverisjen dhe sigurinë në Gaza. Ai e përjashtoi Hamasin nga çdo rol në qeverisjen e ardhshme, duke shtuar se fraksionet e armatosura duhet të dorëzojnë armët dhe të bashkëpunojnë me institucionet zyrtare palestineze.

“Ajo që duam është një shtet i bashkuar pa armë”, tha ai, duke shtuar se vizioni i tij është ndërtimi i një shteti modern dhe demokratik të bazuar në sundimin e ligjit, pluralizëm politik, barazi, drejtësi dhe fuqizimin e grave dhe të rinjve.

Presidenti palestinez falënderoi vendet që e kanë njohur tashmë shtetin e Palestinës dhe u bëri thirrje atyre që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, që të ndërmarrin këtë hap historik në favor të paqes.

“Ne kërkojmë mbështetjen tuaj në mënyrë që Palestina të bëhet anëtare me të drejta të plota në Kombet e Bashkuara”, përfundoi ai.