Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ka ashpërsuar tonet ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian, duke deklaruar se ka ndërprerë kontaktet me disa përfaqësues të huaj që, sipas tij, “nuk i duan të mirën Serbisë”.

Gjatë një deklarate për mediat, Vuçiç iu referua drejtpërdrejt komisioneres së BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, duke thënë se nuk dëshiron të komentojë më për të.

“Nuk kam më çfarë të flas. Për çfarë duhet të bisedoj me njerëz që gënjejnë për Serbinë?”, u shpreh presidenti serb, sipas raportimit të medias N1.

Deklaratat e Vuçiç vijnë vetëm pak ditë pasi European Union pezulloi mbështetjen financiare për Serbinë në kuadër të Planit të Rritjes, për shkak të shqetësimeve lidhur me ndërhyrjet në sistemin gjyqësor.

Marta Kos deklaroi se Beogradi nuk do të përfitojë fonde nga programi europian derisa të adresojë problemet e ngritura për pavarësinë e drejtësisë dhe sundimin e ligjit.

Ajo paralajmëroi gjithashtu se Serbia, si vend kandidat për në BE, nuk mund të mbajë qëndrime të dyfishta në raport me orientimin e saj politik dhe strategjik.

“Shtetet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet të bëjnë zgjedhje të qarta”, është shprehur Kos në reagimin e saj të fundit.