Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, bëri të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ku në qendër të diskutimit kanë qenë çështjet e sigurisë dhe lufta kundër trafikut të drogës.
Në një postim në platformën X, Sheinbaum sqaroi se biseda u fokusua te forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të sovranitetit të Meksikës. Ajo shtoi se u diskutua edhe për përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër trafikimit të narkotikëve, si dhe për marrëdhëniet tregtare dhe investimet mes dy vendeve.
Presidentja meksikane nënvizoi se partneriteti dhe bashkëpunimi i ndërtuar mbi respekt të ndërsjellë sjell gjithmonë rezultate pozitive për të dyja palët.
