Marcelino Abad Tolentino, një fermer i thjeshtë nga Peruja, festoi së fundmi ditëlindjen e tij të 125-të në një azil. Ndonëse nuk ka një certifikatë lindjeje, ai mban një kartë identiteti kombëtare të lëshuar nga shteti peruan që tregon se ai ka lindur më 5 prill 1900. I njohur me nofkën “Mashico”, Marcelino ka kaluar jetën e tij në mes të natyrës, duke ndjekur një mënyrë jetese të shëndetshme e të qetë. Sipas qeverisë, kjo jetë mes florës dhe faunës së Huánuco-s ka kontribuar në jetëgjatësinë e tij të jashtëzakonshme.
Dieta e tij ka qenë gjithmonë e pasur me fruta dhe perime, ndërsa tani nuk mund ta nisë ditën pa një avokado. I rritur si jetim, pasi prindërit e tij humbën jetën në një përmbytje kur ai ishte vetëm 7 vjeç, Marcelino nuk u martua kurrë dhe nuk pati fëmijë. Ai punoi si fermer dhe murator për dekada me radhë, duke jetuar pa energji elektrike deri në moshën 119-vjeçare.
Historia e tij doli në dritë për herë të parë vetëm në vitin 2019, falë një programi shtetëror që i dha atij akses në pension dhe shërbime të tjera sociale. Qeveria peruane është duke përgatitur një kërkesë për njohjen e tij zyrtare si njeriu më i vjetër në botë nga Libri i Rekordeve Guinness. Nëse mosha e tij konfirmohet zyrtarisht, Marcelino do të thyejë rekordin aktual të mbajtur nga Jeanne Calment, e cila jetoi deri në moshën 122 vjeç e 164 ditë.