Teksa kanë kaluar disa javë nga grushti i shtetit i organizuar nga Wagner kundër Vladimir Putin në Rusi, janë ngritur dyshime të forta në lidhje me liderin e grupit mercenar, Yevgeny Prigozhin.
Pas dorëzimit, u tha se Prigozhin u strehua në Bjellorusi, megjithatë sipas një ish-udhëheqësi të lartë amerikan, lideri i Wagner ka të ngjarë të jetë vrarë.
Gjenerali në pension Robert Abrams, ka deklaruar se sipas tij, Putin nuk do e linte kurrë të gjallë dikë që i është kundërvënë, e po ashtu ai shton se takimi që thuhet se ka ndodhur mes tyre pas rebelimit, është thjesht një sajesë.
“Mendimi im personal është se dyshoj se do ta shohim Prigozhin ndonjëherë publikisht. Unë mendoj se ai ose do të fshihet, ose do të dërgohet në burg, ose do të trajtohet në ndonjë mënyrë tjetër, por dyshoj se do ta shohim më ndonjëherë. Unë personalisht nuk mendoj se është gjallë, dhe nëse është, ai është diku në një burg. Do të habitesha nëse do të shohim vërtet prova që Putini u takua me Prigozhin, dhe mendoj se është shumë e inskenuar”, tha Abrams.
Kremlini nxorri një deklaratë zyrtarë në fillim të kësaj jave, ku thuhej se Putin kishte ftuar 35 persona në takim, mes tyre Prigozhin dhe se diskutimi mes tyre kishte zgjatur tre orë.