Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë goditi mëngjesin e sotëm Filipinet, duke shkaktuar të paktën një viktimë dhe shumë panik në jug të vendit.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA , tërmeti ndodhi rreth orës 09:43 me orën lokale, pranë qytetit Manay në ishullin Mindanao. Pas lëkundjeve të forta, autoritetet dhanë paralajmërim për cunami dhe urdhëruan evakuimin e banorëve në zonat bregdetare lindore, për shkak të frikës nga valë deri në 3 metra të larta. Paralajmërimi u hoq më vonë, pasi rreziku kaloi.
Një person humbi jetën në qytetin Mati, kur një mur u shemb si pasojë e tërmetit. Në disa qytete pati panik të madh njerëzit u larguan me vrap nga ndërtesat, shkollat dhe qendrat tregtare. Mësimet janë pezulluar dhe punonjësit jo të domosdoshëm janë dërguar në shtëpi.
Disa dëme materiale janë raportuar, si tavane të shembura, çarje në mure dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Fatmirësisht, nuk ka raportime për të lënduar të tjerë.
Tërmeti ndodhi vetëm 11 ditë pas një tjetër tërmeti të fuqishëm në ishullin Cebu, ku humbën jetën 74 persona.
Filipinet janë një vend i rrezikuar nga tërmetet, pasi ndodhen në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” në Paqësor, ku lëkundjet sizmike janë të zakonshme. Autoritetet vijojnë të vlerësojnë situatën dhe kanë në terren ekipet e emergjencës.