Keir Starmer e kishte paralajmëruar Izraelin që në korrik të vitit të kaluar të ndryshonte kursin e ofensivës së tij në Gaza, por paralajmërimet e tij nuk u morën parasysh nga kryeministri Benjamin Netanyahu. Si pasojë, më 21 shtator 2025, Britania e Madhe, së bashku me Australinë dhe Kanadanë – dhe më vonë edhe Portugalia – shpallën njohjen zyrtare të shtetit palestinez.
“Pamjet e dhunës, urisë dhe vuajtjes në Gaza janë të papranueshme,” deklaroi Starmer. “Vendimi ynë synon të rikthejë shpresën për paqe si për palestinezët, ashtu edhe për izraelitët, duke hapur rrugën për një zgjidhje me dy shtete.”
Ky është një hap historik për diplomacinë britanike, i parë në kontekstin e mandatit britanik mbi Palestinën dhe deklaratës së Balfour-it të vitit 1917, që i hapi rrugën krijimit të Izraelit. Vendimi i Starmer nuk ishte i lehtë, duke pasur parasysh lidhjet e tij familjare me komunitetin hebre dhe përpjekjet e tij për të pastruar Partinë Laburiste nga akuzat për antisemitizëm. Megjithatë, njohja e shtetit palestinez ishte pjesë e programit qeverisës laburist, ndërsa presioni nga krahu i majtë i partisë u bë i pamundur të injorohej.
Starmer i kërkoi Izraelit të heqë kufizimet në kufi dhe të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare, duke dënuar njëkohësisht edhe veprimet e Hamasit, përfshirë mbajtjen e pengjeve. “Ne nuk mund të lejojmë që drita e një zgjidhjeje me dy shtete të shuhet”, u shpreh ai.
Aktualisht, 148 vende e njohin shtetin palestinez, dhe ky numër pritet të rritet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku pritet që Belgjika, Luksemburgu, Malta, San Marino dhe Andorra t’i bashkohen listës, ndërkohë që Franca e ka shpallur tashmë njohjen dhe Zelandë e Re po konsideron një hap të ngjashëm.
Reagimet kanë qenë të forta: Autoriteti Palestinez dhe Hamasi e përshëndetën vendimin, me këtë të fundit që bëri thirrje për izolimin e mëtejshëm të Izraelit. Ndërkohë, Netanyahu reagoi ashpër duke thënë se “nuk do të ketë asnjë shtet palestinez” dhe akuzoi Perëndimin për “shpërblimin e terroristëve të Hamasit”. Edhe opozita izraelite ndau të njëjtën vijë qëndrimi për mosnjohjen e Palestinës, megjithatë lideri Yair Lapid e akuzoi qeverinë Netanyahu për “katastrofën më të madhe të sigurisë në historinë e Izraelit”.
Netanyahu pritet të përgjigjet më 29 shtator, pas takimit me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ku sipas raportimeve ai do të diskutojë mundësinë e aneksimit të Bregut Perëndimor, duke pritur miratimin e presidentit amerikan. Ndërkohë, figura e djathtë ekstreme Itamar Ben Gvir kërkon që ky hap të bëhet menjëherë.
Nga ana tjetër, princi saudit Bin Salman ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, edhe pse Trump do të zhvillojë takime me disa liderë arabë e myslimanë, përfshirë ata nga Emiratet, Katari, Egjipti, Jordania dhe Turqia.