Në një fjalim të mbajtur në vitin 2015, dy vite pas zgjedhjes, ai paraqiti qartë vizionin e tij: një Kishë që nuk është burokratike, por mëmë e dashur, që shoqëron dhe kupton.
Për të, feja nuk është një strukturë e ngurtë, por një trup i gjallë që rritet. Ky mesazh pati jehonë të madhe në ato vende ku besimi katolik është i fortë, por edhe i ndërlikuar nga historia dhe vuajtjet. Në Manila, gjatë një vizite në janar 2015, afro 6 milionë njerëz morën pjesë në meshën që ai mbajti – një nga ngjarjet më të mëdha në historinë fetare moderne. Të ngjashme ishin edhe reagimet në Kinshasa (2023), me mbi 1 milion pjesëmarrës, dhe në Timorin Lindor (2024), ku afro gjysma e popullsisë mori pjesë në meshën e tij.
Papa Françesku ndërtoi reputacionin e një drejtuesi që dëgjon dhe kërkon zgjidhje përmes dialogut. Kjo u konkretizua me organizimin e dy sinodeve në Romë, në vitet 2023 dhe 2024, ku për herë të parë gratë morën të drejtë vote. Edhe pse nuk pranoi të lejonte diakonesha femra, çka zhgënjeu krahun liberal, sinodet nxitën debat të gjerë dhe zemërim në radhët e konservatorëve, të cilët i shihnin këto hapa si largim nga tradita.
Vendimet e tij nuk kanë qenë të lehta as për Vatikanin, as për botën. Emërimi i grave në poste të larta dhe qëndrimi i tij “Kush jam unë që të gjykoj?” për homoseksualitetin, ishin veprime që thelluan ndarjet brenda Kishës.
Megjithatë, papati i tij u përball edhe me pengesa serioze. Në vitin 2016, kur u përpoq të lehtësonte marrjen e kungimit për të divorcuarit e rimartuar, shumica e peshkopëve e refuzuan propozimin. Ai lejoi një fleksibilitet të kufizuar, gjë që nxiti një kundërofensivë nga katolikët konservatorë veçanërisht në Shtetet e Bashkuara që nuk pushuan së sfiduari vendimet e tij deri në fund të papatit.
Kur në vitin 2019 ai mbështeti idenë e lejimit të priftërinjve të martuar në Amazon për të mbuluar mungesën e klerit, u detyrua të tërhiqej përballë rezistencës së fortë. Po atë vit, ai vuri kufizime ndaj meshës tradicionale në latinisht, duke përkeqësuar më tej raportet me tradicionalistët. Në tetor 2023, Papa ndërmori një nga vendimet më të debatuara të papatit të tij, duke anuluar ndalimin për bekimin e bashkimeve civile homoseksuale.
Vendimi shkaktoi reagime të forta, sidomos nga kardinali konservator gjerman Gerhard Müller. Më pas, në nëntor të po atij viti, Vatikani lejoi pagëzimin e personave transgjinorë një tjetër hap që për shumë konservatorë ishte i papranueshëm, por që për shumë të tjerë shënoi një moment historik të përfshirjes. Përtej debatit dogmatik, Papa Françesku u bë një zë i fuqishëm në çështjet globale.
Në vitin 2015, ai publikoi enciklikën Laudato Si, një thirrje për mbrojtjen e mjedisit që e vendosi Vatikanin në qendër të debatit për ndryshimet klimatike. Ai ndërmori hapa të rrallë në marrëdhëniet ndërfetare, si takimi me Patriarkun Kirill të Kishës Ortodokse Ruse i pari në një mijëvjeçar. Ai gjithashtu arriti një marrëveshje me qeverinë kineze për emërimin e peshkopëve, edhe pse kjo marrëveshje u shkel disa herë nga autoritetet e Pekinit. Brenda mureve të Vatikanit, papati i tij nuk kaloi pa tensione.
Françesku ndërmori hapa të rëndësishëm në luftën kundër abuzimeve seksuale, por u përball me kritika të ashpra kur u zbulua se kishte injoruar paralajmërimet për një rast të rëndë në Kili. Për më tepër, përpjekjet për të reformuar financat e Vatikanit u ndërlikuan nga një proces gjyqësor që zbuloi vendime të diskutueshme të miratuara prej tij. Për shumë, ai mbeti Papa i të varfërve jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. E quajtën “papa i popullit”, por ai shpesh veproi si një drejtues i vetmuar, që duhej të mbante baraspeshën mes traditës dhe ndryshimit.
