Në Bruksel janë mësuar me kriza, grindje politike, bllokime buxhetesh dhe negociata të pafundme. Por çfarë ndodhi këtë javë nuk i ngjante asnjërës prej tyre.
Zyrat elegante të Shërbimit të Jashtëm të BE-së dhe korridoret e qeta të Kolegjit të Evropës në Bruge u zgjuan nga trokitjet e forta të Policisë belge. Fokusi i hetimit nuk ishte një burokrat i panjohur, por një nga figurat më të spikatura të skenës evropiane: Federica Mogherini.
Ish-shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, e cila për pesë vite përfaqësoi unionin në arenën ndërkombëtare dhe më pas mori drejtimin e institucionit më prestigjioz që formon diplomatët e së ardhmes, u gjend papritur në qendër të një hetimi për korrupsion, mashtrim dhe shkelje të sekretit profesional.
Lajmi ra si bombë në Bruksel, ku pak kush priste që një emër i këtij kalibri të përfshihej në një skandal kaq të rëndë.
Një tender që ndezi dyshimet
Çështja ka në qendër tenderin e vitit 2020–2021 për ngritjen e “European Union Diplomatic Academy”, një program ambicioz trajnimi që synon të krijojë një brez të ri diplomatësh me “kulturë të përbashkët evropiane”.
Projektit, i financuar me rreth 1 milion euro në vitin pilot, iu besua Kolegji i Evropës, institucion ku Mogherini shërben si rektore.
Por sipas Prokurorisë së BE-së (EPPO), nuk ishte një proces i pastër.
Prokurorët dyshojnë se informacion konfidencial është ndarë me një nga kandidatët që garonin për kontratën. Bëhet fjalë për një sërë akuzash të rënda: korrupsion, konflikt interesi, mashtrim në prokurime, madje edhe shkelje të sekretit profesional.
Hetuesit kanë zbuluar mjaftueshëm indicie sa për të nisur kontrolle të befasishme jo vetëm në zyrat e institucioneve, por edhe në shtëpinë e Mogherinit.
Një hetim që prek majat e BE-së
Mogherini nuk është e vetmja. EPPO ka akuzuar gjithashtu një zyrtar të lartë të Komisionit Evropian – që dyshohet të jetë Stefano Sannino, ish-sekretari i përgjithshëm i EEAS – si dhe një funksionar të lartë të Kolegjit të Evropës.
Të tre janë marrë në pyetje, por janë lënë të lirë pasi “nuk paraqesin rrezik arratisjeje”.
Në Bruksel, reagimi ka qenë i menjëhershëm: tronditje dhe heshtje. Komisioni Evropian është mjaftuar me një koment të ftohtë: po bashkëpunojmë me hetimin. Asnjë mbrojtje publike, asnjë sulm ndaj prokurorëve, asnjë deklaratë politike.
Mogherini – mes karrierës së ndritur dhe një hije të papritur
Federica Mogherini, dikur fytyra e diplomacisë evropiane dhe një nga gratë më me ndikim në BE, ka preferuar heshtjen. Asnjë deklaratë, asnjë reagim për akuzat që, nëse provohen, do të shkatërronin jo vetëm reputacionin e saj, por edhe imazhin e një prej institucioneve më të respektuara të Evropës.
Është e njëjta Mogherini që për pesë vite zhvilloi negociata në Teheran, Kiev, Washington e Pekin. E njëjta që u reklamua si simbol i rinovimit evropian. Tani, akuzohet se ka qenë pjesë e një procesi të manipuluar, që përfshinte favorizime, skema sekrete dhe abuzime me fonde publike.
Pasojat, të pashmangshme
Në Bruksel askush nuk e thotë me zë të lartë, por të gjithë e dinë: ky është një nga skandalet më të mëdha të integritetit që ka goditur institucionet evropiane në vitet e fundit. Nga ai mund të dalin pasoja të thella – juridike, politike dhe institucionale.
Kolegji i Evropës ka thënë se do të bashkëpunojë “për transparencë dhe respekt të procesit”. Por në qarqet diplomatike, një pyetje e vetme qarkullon: Çfarë do të ndodhë më pas?
Deri sa të flasin gjykatat, të gjithë të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm. Por hijet mbi Bruksel nuk janë zhdukur.
Dhe rrëfimi i Federica Mogherinit, dikur histori suksesi evropian, është kthyer tashmë në një tregim të errët për ambicie, pushtet dhe akuzat që mund të rrëzojnë edhe figurat më të forta të kontinentit.
