Vetëm disa ditë pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump ka ngjallur diskutime të forta, pasi shumë individë po kërkojnë që ai të mbetet në këtë post deri në vitin 2032. Inaugurimi i Trumpit u mbajt më 20 janar në Washington D.C., dhe 78-vjeçari nuk ka humbur kohë për të nënshkruar një sërë urdhrash ekzekutivë që mund të ndryshojnë thelbësisht mënyrën se si funksionon SHBA-ja.
Nga tërheqja nga Marrëveshja e Klimës e Parisit dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, deri te ndalimi i grave transgjinore të strehohen në burgje për gra, Trump ka propozuar masa të ndryshme që do të kenë ndikim të madh në politikën amerikane. Në fjalimin e tij të inaugurimit, Trump u shpreh se: “Epoka e artë e Amerikës fillon tani”, por disa mendojnë se mund të duhen më shumë se katër vjet për të realizuar këtë objektiv ambicioz.
Në lidhje me këtë përfaqësuesi i SHBA-së, Andy Ogles, ka propozuar një ndryshim në Nenin 22 të Kushtetutës, që do t’i mundësonte Trumpit të kandidojë për një mandat të tretë si president. Sipas Kushtetutës aktuale, presidentët mund të kandidojnë vetëm dy herë për të njëjtin post.
Ogles tha në një deklaratë më 23 janar:
“Lidershipi i vendosur i Presidentit Trump është në kundërshtim të plotë me kaosin, vuajtjet dhe rënien ekonomike që amerikanët kanë përjetuar gjatë katër viteve të kaluara. Ai ka provuar se është figura e vetme në historinë moderne që mund t’i kthejë vendit madhështinë që ka humbur, dhe ai duhet të ketë kohën e nevojshme për të arritur këtë qëllim.”
Për këtë arsye, ai ka propozuar një amendament në Kushtetutë që do të ndryshonte kufizimet e vëna nga Neni 22 mbi mandatet presidenciale. Ky amendament do t’i mundësonte Presidentit Trump të shërbejë për tre mandate, duke siguruar që të mund të vazhdojë me udhëheqjen e guximshme që kombi ka nevojë.
Ogles shtoi se është “thelbësore që t’i ofrojmë Presidentit Trump çdo burim të nevojshëm për të korrigjuar kursin katastrofik që administrata e Biden ka vendosur.”
Sipas përfaqësuesit, do të duhen dhjetë vjet për të korrigjuar “abuzimet” që administrata e Biden i ka shkaktuar amerikanëve gjatë mandatit të tij. Propozimi i Ogles për amendamentin do të ketë nevojë për miratimin e tij nga Dhomat e përfaqësuesve dhe Senati, për t’u firmosur më pas nga presidenti për t’u bërë ligj. Por nuk është e qartë sa kohë mund të marrë ky proces.



