Irani i është përgjigjur propozimit të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës, duke ia dorëzuar përgjigjen Uashingtonit përmes Pakistanit si ndërmjetës, sipas asaj që raportuan mediat në Teheran.
Sipas asaj që kanë mundur të zbulojnë mediat ndërkombëtare, faza e parë e negociatave do të përqendrohet në ndalimin e luftimeve, ndërsa Teherani ka kërkuar garanci për “sigurinë detare” në Gjirin Persik dhe në Ngushticën e Hormuzit. Një burim diplomatik pakistanez i tha Al Jazeera Arabic se përgjigjja iraniane tashmë i është përcjellë palës amerikane.
Më herët gjatë javës, Uashingtoni i kishte paraqitur Iranit një plan me 14 pika. Sipas kushteve të propozuara, Irani duhet të angazhohet që të mos zhvillojë armë bërthamore dhe të ndalojë pasurimin e uraniumit për të paktën 12 vjet.
Po ashtu, Teheranit i kërkohet të dorëzojë rreth 440 kilogramë uranium të pasuruar deri në 60 për qind.
Në këmbim, SHBA-ja do të lehtësonte gradualisht sanksionet ndaj Iranit, do të lironte miliarda dollarë asete të ngrira iraniane dhe do të ndalte bllokadën detare ndaj porteve iraniane. Mediat ndërkombëtare, të cilat nuk kanë detaje nëse përgjigjja është pozitive apo jo, raportojnë se Irani ka theksuar prioritetet e tij në përgjigjen ndaj Uashingtonit. Në fakt, vetë plani amerikan parashikonte që çështjet kryesore të trajtoheshin në një periudhë negociatash intensive 30-ditore.
Presidenti iranian Masud Pezeshkian deklaroi pas dhënies së përgjigjes se dialogu nuk mund të konsiderohet se Irani është dorëzuar, ndërsa shtoi se nuk do të përkulë kokën përpara armiqve dhe se është në interes të amerikanëve që kjo luftë të përfundojë sa më parë.
