Kryeministrja daneze Mette Frederiksen deklaroi të martën se Danimarka dhe Groenlanda do të vazhdojnë të angazhohen në një dialog konstruktiv mbi sigurinë në Arktik, me kusht që të respektohet plotësisht integriteti territorial i Mbretërisë së Danimarkës.

Deklarata e saj vjen pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të martën tërhoqi kërcënimin për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane për shkak të qëndrimit të tyre mbi Groenlandën. Trump njoftoi gjithashtu se kishte rënë dakord për një kornizë marrëveshjeje me NATO-n mbi të ardhmen e ishullit arktik dhe përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake për pushtimin e Groenlandës, duke bërë thirrje për “negociata të menjëhershme” për blerjen e territorit autonom danez. Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidenti amerikan deklaroi se SHBA-të dhe aleatët evropianë do të bashkëpunojnë për zhvillimin e mburojës raketore “Golden Dome” dhe për nxjerrjen e mineraleve në Groenlandë, me synimin për të frenuar ambiciet e Rusisë dhe Kinës. Sipas Trump, këto plane bazohen në një projekt-marrëveshje të arritur me drejtuesin e NATO-s.

Nga ana e saj, Frederiksen theksoi se NATO është plotësisht e informuar për qëndrimin e Danimarkës dhe se i është bërë e qartë se bisedimet e Mark Rutte me presidentin amerikan nuk përfshijnë çështje të sovranitetit kombëtar. “Siguria në Arktik është një çështje për të gjithë aleancën e NATO-s. Prandaj është e natyrshme që të diskutohet mes sekretarit të përgjithshëm të NATO-s dhe presidentit të SHBA-së”, u shpreh kryeministrja daneze. Ajo shtoi se Mbretëria e Danimarkës është e gatshme për dialog mbi forcimin e sigurisë në Arktik, përfshirë projektin ‘Golden Dome’, vetëm nëse respektohet integriteti territorial i vendit.

Frederiksen theksoi gjithashtu se gjatë gjithë procesit ka pasur koordinim të ngushtë me qeverinë e Groenlandës. “Kemi mbajtur një dialog të vazhdueshëm me NATO-n dhe unë personalisht kam komunikuar rregullisht me Sekretarin e Përgjithshëm Mark Rutte, veçanërisht para dhe pas takimit të tij me Presidentin Trump në Davos”, deklaroi ajo.

Reagime pozitive nga Franca
Ministri francez i Financave, Roland Lescure, përshëndeti tërheqjen e kërcënimit për tarifa nga ana e SHBA-së, duke e cilësuar atë si “shenjën e parë pozitive” drejt uljes së tensioneve. “Fjala kyçe e 48 orëve të fundit ka qenë ‘de-eskalimi’. Aktualisht jemi në një fazë de-eskalimi”, tha ai për radion RTL, duke shtuar se Franca mbetet megjithatë vigjilente.

Kronologjia e ndryshimit të qëndrimit të Trump
Vetëm disa orë pas një fjalimi të ashpër në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, presidenti amerikan sinjalizoi një zbutje të qëndrimit ndaj Evropës për çështjen e Groenlandës. Në një postim në platformën Truth Social, Trump njoftoi se po tërhiqte kërcënimin për tarifa, duke përmendur arritjen e një “kornize për një marrëveshje të ardhshme” pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. “Kjo zgjidhje, nëse arrihet, do të jetë e shkëlqyer për Shtetet e Bashkuara dhe për të gjitha vendet e NATO-s. Bazuar në këtë mirëkuptim, nuk do të vendos tarifat që ishin planifikuar”, shkroi Trump, duke theksuar gjithashtu se nuk ka ndërmend të përdorë forcë ushtarake për të përvetësuar Groenlandën.