Çifti që u ngjit ilegalisht në majën e Empire State Building në Nju Jork për të realizuar një propozim spektakolar përballet tashmë me drejtësinë.

Ivan Kuznetsov, 32 vjeç, dhe Angelina Nikolaou, 33 vjeç, u paraqitën në gjykatë, pasi akuzohen për një sërë shkeljesh lidhur me ngjitjen e tyre në një prej ndërtesave më të famshme të Nju Jorkut.

Ngjarja ndodhi më 1 korrik, kur çifti u ngjit në antenën e rrokaqiellit, rreth 443 metra mbi tokë. Gjatë ngjitjes, ata shpalosën një banderolë me mesazhin: “Kur fuqia e dashurisë të triumfojë mbi dashurinë për pushtet, bota do të njohë paqen.”

Në majë të ndërtesës, Kuznetsov, i njohur në internet si Ivan Beerkus, u ul në gjunjë dhe i propozoi partneres së tij.

Të dy janë të njohur për ngjitjet urbane në struktura të larta dhe kanë publikuar në rrjetet sociale pamje nga aventurat e tyre. Historia e çiftit është bërë gjithashtu pjesë e dokumentarit të Netflix, “Skywalkers: A Love Story”.

Prokuroria i akuzon për vepra që përfshijnë rrezikimin e të tjerëve, vjedhjen me thyerje dhe shkaktimin e dëmeve.

Pas seancës, çifti u shfaq i qetë para kamerave, duke u përqafuar dhe puthur. Ata kanë deklaruar se respektojnë procesin gjyqësor dhe janë të gatshëm të përballen me pasojat e veprimeve të tyre.

Kuznetsov dhe Nikolaou ende nuk kanë deklaruar fajësinë apo pafajësinë.

Seanca e radhës është caktuar për 29 shtator.