Forca politike Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen, synon të paraqesë një projektligj që do të lejonte rihapjen e bordellove si “kooperativa”. Në deklaratat për median franceze, Jean-Philippe Tanguy, një deputet i partisë, njoftoi qëllimin.
“Prostitutat do të jenë perandoresha në mbretërinë e tyre. E vetmja zgjidhje është që prostitutat të jenë shefe të vetes, të jenë perandoresha në mbretërinë e tyre. Do të ishte një lloj kooperative, një institucion, i drejtuar dhe në pronësi të tyre”, tha ai për radion RTL.
Prostitucioni u ndalua në Francë në vitin 1946. Prostitutat mund të ofrojnë shërbimet e tyre, por një ligj i vitit 2016 i promovuar nga Partia Socialiste vendos një gjobë prej 1,500 eurosh për klientët.
Tanguy i tha RTL se kriminalizimi i klientëve ka përkeqësuar jetën e përditshme të grave që punojnë në këtë industri ilegale. Deputeti propozon krijimin e hapësirave të vetë-menaxhuara të drejtuara nga punonjëset e seksit, në mënyrë që ato të mund të punojnë të sigurta.
Edhe pse deputeti pretendon se ka mbështetjen e Marine Le Pen, një tjetër zyrtar i Tubimit Kombëtar që kundërshton rregulloret, i tha RTL se çështja “as nuk është diskutuar”. Diskutime të ngjashme kanë ndodhur edhe në vende të tjera të BE-së.
Në Itali, politikanët nga koalicioni qeverisës i Giorgia Melonit janë në favor të rihapjes së bordellove dhe rregullimit të prostitucionit, por deri më tani propozimet nuk janë zbatuar.


