Policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën, ndërsa protestat shkaktuan edhe anulimin e mbi 100 fluturimeve në aeroportin e Brukselit.

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë shoqëruar një demonstratë masive të zhvilluar sot në Bruksel, ku dhjetëra mijëra qytetarë dolën në rrugë kundër planit të qeverisë belge për shkurtimin e shpenzimeve publike.

Sipas agjencisë së lajmeve “Belga”, disa protestues hodhën sende në drejtim të efektivëve të policisë, ndërsa u vunë flakën edhe biçikletave me qira. Në përgjigje, forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën.

Në demonstratë morën pjesë nga 30 mijë deri në 50 mijë persona. Ajo ishte pjesë e një vale protestash të organizuara në mbarë vendin nga sindikatat, në kundërshtim me masat ekonomike të planifikuara nga ekzekutivi belg.

Përpara nisjes së marshimit, presidenti i sindikatës socialiste, Bert Engelaar, u bëri thirrje personave që synonin të shkaktonin incidente të dhunshme të mos merrnin pjesë në protestë.

“Këta persona nuk kanë asnjë lidhje me mesazhin që mijëra të tjerë duan të përcjellin duke dalë në rrugë”, shkroi ai në Facebook.

Protestat u organizuan nga dy sindikata kryesore, ajo e krishterë CSC dhe ajo socialiste FGTB. Përveç tubimeve, u zhvilluan edhe ndërprerje të punës, të cilat ndikuan në transportin ajror, duke sjellë anulimin e më shumë se 100 fluturimeve në aeroportin e Brukselit.

Qeveria belge, e drejtuar nga kryeministri Bart De Wever, synon të kursejë 10 miliardë euro deri në përfundimin e mandatit të saj në vitin 2029. Masat vijnë në një kohë kur vendi përballet me borxh të lartë publik dhe deficit të konsiderueshëm buxhetor.